Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, partitë tërheqin numrat për renditjen në fletëvotim

Katër subjektet politike që do të garojnë për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë bërë tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në ceremoninë e sotme të tërheqjes së shortit nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të mbajë numrin 121, kandidati i pavarur do të ketë numrin 122, Lista Serbe do të ketë numrin 123, kurse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë numrin 124.

Kandidatët për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut janë; Lista serbe me Milan Radojeviq, kandidati i pavarur Dushan Milunoviq, Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Florent Azemi dhe Lëvizja Vetëvendosje me Erdan Atiq.

Zgjedhjet po mbahen pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në qeverinë e re të Avdullah Hotit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e së martës ka miratuar udhëzimin për Regjistrim dhe Votim të Votuesve të cilëve për shkak të infektimit me COVID-19 janë në izolim dhe votuesve të cilëve iu është caktuar masa e vetëizolimit, në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen me 29 nëntor në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

KQZ miraton mënyrën e votimit të personave me COVID-19 dhe të izoluar në zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut