Zëvendëskryeministrat dhe ministrat kërkojnë lirimin nga detyra për t'u bërë deputetë
Dy zëvendëskryeministrat dhe katër ministrat e qeverisë në detyrë kanë kërkuar që të lirohen nga postet e tyre për të marrë mandatin e deputetit në legjislaturën e tetë.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.om Antigona Baxhaku, këshilltare për media e kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti.
Baxhaku bëri të ditur se në zyrën e Kryeministrit kanë paraqit kërkesë për lirim nga detyrë, zëvendëskryeministrat Besnik Tahiri dhe Driton Selmanaj, ministri i Bujqësisë Besian Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes Anton Quni dhe ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi.
Kuvendi i Kosovës sot me fillim në orën 10:00, do mbajë seancën konstituive të legjislaturës së tetë.
Sipas agjendës, fillimisht do të formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndërkohë, gjatë kohëzgjatjes së seancës, mediat mund të qëndrojnë në ballkonin e sallës plenare, konform Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit.
Thirrja e seancës konstituive pason certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.
Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re.