Zaev: ‘Ballkani i Hapur’ është mënyra për të ecur përpara vendet tona

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të iniciativës  “Ballkani i Hapur”, tha se tri ekipet e tri vendeve që janë pjesë e kësaj iniciative kanë punuar shumë muajve të fundit dhe se kanë arritur suksese.

Zaev ka përcjellë mesazh për të gjithë për ta ruajtur këtë iniciativë sepse sipas tij kjo është për të mirën e qytetarëve.

“Dëshiroj t’ju përçoj mesazh gjithë këtyre që janë të pranishëm këtu. Ruajeni këtë iniciativë ‘Ballkani i Hapur’ sepse kjo është iniciativë për të mirën e qytetarëve tanë. Kemi pasur zënka, përçarje e mos besim në të shkuarën por ‘Ballkani i Hapur’ është mënyra për të ecur përpara. Është rruga e duhur për integrimin tonë në Bashkimin Evropian”, tha Zaev.

Zaev tha se marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot do të sjellin suksese të mëtejme.

Zaev theksoi se kjo iniciativë është e hapur për gjitha vendet e rajonit.

“Që në fillim të kësaj iniciative ne kemi theksuar iniciativën e Ballkanit të Hapur që është një proces autentik i përbashkët i tri vendeve por që kjo iniciativë është e hapur për të gjitha vendet e rajonit”, tha ai.

“Ballkani i Hapur na ka sjellë së bashku si tre udhëheqës së institucioneve tona por për mua ka pasur vlerë të shtuar. Kjo është miqësia e madhe që kemi mundur ta krijojmë ne të tre bashkë”, shtoi ai.

Gjatë këtij takimi kanë folur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili shtoi se Ballkani i Hapur është një nismë tërësisht përfshirëse dhe ka inkurajuar edhe vendet tjera të rajonit të bashkohen në këtë nismë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shtoi se ky është proces gjithëpërfshirës për të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj iniciative dhe ka shtuar se e kanë bërë të qartë me mijëra herë.