Sami Kurteshi ne konference per media Foto: LVV

VV në Gjilan zgjedh kandidatët për deputetë, mungon Sami Kurteshi

Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, nuk ka arritur të marrë besimin e qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan për t’u kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar për të zgjedhur anëtarët që do të jenë në listën e deputetëve të kësaj partie.

Qendra e Vetëvendosjes në Gjilan ka nxjerrë 6 emra që do të jenë në listë për deputetë, e ku nuk ka figuruar emri i Sami Kurteshit.

Në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com, Kurteshi ka treguar se dje e ka kuptuar që nuk do të jetë kandidat.

“Nuk mund të vendosi unë vet, kjo nuk është çështje ime. Unë listën se kam parë, por kam dëgjuar dje që s’do të jem në kandidat”, tha Kurteshi për KALLXO.com.

Kurteshi thotë se nuk e di pse nuk e ka marrë besimin e qendrës, por thotë se votimi ka qenë demokratik dhe nuk ndihet i befasuar.

“Unë nuk e di se pse nuk më kanë votuar. Po ta dija, do të veproja ndryshe. Askush nuk m’i ka dhënë arsyet, ata kanë votuar në atë mënyrë. Nuk jam i befasuar, mendoj që votimi ka qenë demokratik. Në këto raste gjithkush shkon dhe gjithkush mbetet”, tha tutje Kurteshi për KALLXO.com.

Moskandidimi në këto zgjedhje, nuk do t’i pengojë Kurteshit që të jetë aktiv në jetën politike.

“Unë do të vazhdoj të jem aktiv. Kjo nuk ndryshon asgjë me qëndrimin tim”, tha tutje ai.

Këshilli i Qendrës së Vetëvendosjes në Gjilan ka nxjerrë 6 kandidatë nga ky rajon që do të jenë në listën e Vetëvendosjes. Aty do të jetë kushëriri i Sami Kurteshit, Ismajl Kurteshi.

Në këtë listë vërehet përfaqësimi i barabartë gjinor.

Këta janë kandidatët për deputetë nga radhët e Vetëvendosjes prej degës së Gjilanit: Nevzad Isufi, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, Ismajl Kurteshi, Arijeta Rexhepi, Labinotë Demi – Murtezi dhe Alban Hyseni.

Kurteshi ka qenë kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Gjilanit. Ai kishte arritur të hyjë në balotazh kundër kryetarit aktual Lutfi Haziri, por që në fund e kishte humbur garën.

Në të kaluarën, Sami Kurteshi ka udhëhequr zyrën e Avokatit të Popullit.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor.