Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)

Vritet nga policia 25 vjeçari në Tiranë

 

Një person 25 vjeç është vrarë nga Policia e Shteti në orët e para (01: 45) të 8 dhjetorit në Tiranë.

Siç bën të ditur policia e Shqipërisë 25 vjeçari nuk i është bindur urdhërit të tyre që të ndalej.

“Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.

“Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri. I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K. R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu policia njofton se lidhur me ngjarjes është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.

“Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Punonjësi i policisë shtetasi N. H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.”, përfundon njoftimi./21Media