Foto-ilustrim

Vrasja në Tiranë, arrestohet i biri i një polici

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se lidhur me vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, vrasje që ka ndodhur më 16 dhjetor në Tiranë, është arrestuar një person i dyshuar, A.V., i cili është i biri i një zyrtari të Policisë.

Sipas Policisë së Shtetit, menjëherë pas ndalimit të shtetasit A.V., Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor D. V., me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin e thelluar ndaj punonjësit të Policisë të pezulluar nga detyra.

Biznesmeni Edmon Papa është ekzekutuar në Selitë të Tiranës derisa po pinte kafe në një lokal.

Autoritetet e Shqipërisë janë duke zhvilluar hetime për kapjen e të gjithë të përfshirëve në këtë vrasje.