Vrasja në tentativë në Pejë, dorëzohen në Polici dy të dyshuar

Dy persona janë dorëzuar në Polici në lidhje me rastin që po trajtohet si tentim vrasje.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 1:25, kur një person derisa po lëvizte me veturën e tij është sulmuar me armë zjarri.

Për këtë rast, sipas Prokurorisë së Pejës, dy persona janë dorëzuar në Polici.

Me urdhër të prokurorit të njëjtit janë ndaluar, njëri për 48 orë dhe tjetri për 24 orë (për shkak se është i mitur).

”Dy persona janë ndalu me urdhër të Prokurorit të Shtetit, njëri prej tyre 24 orë për shkak se është i mitur, ndërkaq rasti është kulifikuar si vrasje e mbetur në tentativë. Me sa kemi pranuar informatë ne si Prokurori, janë vetëdorëzu në Polici sot gjatë ditës” ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka thënë se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e këtij rasti.

Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën Pejë-Rozhajë, në segmentin në Vitomiricë.

Sipas Policisë, viktima e rastit ka raportuar në stacionin policor në Pejë se derisa ka qenë duke lëvizur me veturë ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të tij dhe se është qëlluar vetura e tij.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi, e ka konfirmuar për KALLXO.com rastin, i cili, sipas tij, ka ndodhur rreth orës 1:25.