Foto: KALLXO.com

Vrasja me pagesë, prokurorja ankohet ndaj vendimit për 49 vjet burgim

Në muajin nëntor, Gjykata e Pejës, i kishte shpallur fajtorë pjesëtarët e grupit të përbërë prej katër personave, nën akuzën për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

I akuzuari Bekim Raja që akuzohej se e porositi vrasjen me pagese të Gjinit u dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim, e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim.

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë u dënua nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.

Këtë vendin e ka atakuar me ankesë prokurorja e rastit Valbona Disha Haxhosaj.

Prokurorja e ka konsideruar dënimin e shqiptuar të akuzuarve si të ulët.

“Po Prokurorja e rastit Valbona Disha Haxhosaj ka parashtruar ankese në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës se shkallës se pare” tha zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikqi.

KALLXO.com e ka përcjellë këtë proces gjyqësor në vazhdimësi.

Në proces gjyqësor në këtë rast janë përmendur edhe emra të tjerë dhe lidhje të biznesmenit Bekim Raja me deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Në përgjime telefonike Raja kishte kërkuar ndihmën nga babai i tij që të kontaktojë me deputetin Hajdar Beqa ndërsa në një fotografi të publikuar ish-deputeti Beqa dhe Nasim Haradinaj ishin fotografuar duke pirë shampanjë në një jaht.

Që të dy nuk e kanë mohuar takimin ndërsa e kanë përshkruar Rajën si njeri human.

Pas vendimit të shkallës së parë procesi pritet të bartet në Gjykatën e Apelit.

VIDEO – Vrasja me pagesë në Deçan: 49 vjet burg për vrasjen e Ferdinand Gjinit