Hajdar Beqa flet për shampanjën me të akuzuarin për vrasje me pagesë

Ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa është përmendur në seancën gjyqsore të mbajtur gjatë ditës së djeshme për vrasjen me pagesë ndaj Ferdinand Gjinit.

Në këtë rast, Bekim Raja është i akuzuar për porositjen e vrasjes së Ferdinand Gjinit.

I dyshuari Bekim Raja kishte rënë në përgjimet e Prokurorisë duke komunikuar me babanë e tij Kristën, ku edhe e kishte porositur që të kontaktoj Hajdar Beqën.

Të dy kishin planifikuar të i kërkonin ndihmë ish- deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish- deputetin Beqa i cili mohoi se ndonjëherë është kontaktuar nga familjarë të Bekim Rajës ose i është kërkuar ndihmë në këtë rast.

“Unë kurrë asnjëherë në jetë time, nuk më ka kërkuar ndihmë askush e asnjëherë asnjë debat nuk e kam pasur për këtë çështje përveç ato që i thash, d.m.th. e vetmja temë me familjen Raja është ndihma e tyre ndaj skamnorëve”, tha tutje Beqa.

“Nuk kam qenë as person përgjegjës me i ofru dikujt një gjë të tillë, përveç asaj që i takon deputetit apo një qytetari të Kosovës”, vazhdon sqarimin Beqa.

Ai tregoi edhe se si arriti të njoftoj familjen Raja.

“Unë së pari nuk kam asnjë informatë për asnjë rast të tillë, jam informuar nga mediat. Sa i përket familjes Raja unë i njoh, kam qenë deputet në dy mandate, kanë shprehur interes për të i ndihmuar disa familjeve që kanë nevojë për strehim, unë i kam pyetur në atë kohë organet kompetente që janë në Komunën e Gjakovës që nëse kanë pasur raste për ndihmë ndaj familjeve të varfëra. Kemi dalë edhe në media me babain e tij dhe e kam falënderuar për donacionet ndaj të varfërve”, tha ai për KALLXO.com.

“Unë i pash shkrimet në KALLXO.com, deri më tani askush nga unë nuk ka kërkuar ndihmë prej meje dhe unë nuk jam kompetent çka flasin njerëzit për mua pa dijeninë time, edhe nëse kanë fol unë nuk kam informatë që ka fol dikush pa prezencën time”, shtoi Beqa.

Ai komentoi edhe fotografinë e paraqitur në seancë nga vëllai i Ferdinand Gjinit, ku shihen Bekim Raja, Hajdar Beqa e Nasim Haradinaj në një jaht duke pirë shampanjë.

“Unë e kam takuar z. Haradinaj dhe ka qenë edhe z. Raja ku jemi takuar në Zvicër, unë kam shkuar shpesh në Zvicër dhe e vetmja temë qe ka qenë ka qenë ajo me i ndihmu familjeve skamnore në Kosovë”, tha ai.

Në procesin gjyqësor ndaj Bekim Rajës janë sfiduar lidhjet e tij me politikën.

Në po të njëjtën seancë për vrasjen e Ferdinand Gjinit është përmendur edhe ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hajdar Beqa.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, vrasje që ka ndodhur më 2014 në Prapaqan të Deçanit, po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.

Në këtë rast, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014 e kanë vrarë Ferdinand Gjinin.

Për vrasjen e Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa ditë të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Gjon Pnishi ka rrëfyer para trupit gjykues momentin prej njohjes me Bekim Rajën e deri në përfundim të ngjarjes, qe përfundoi me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.