Nasim Haradinaj pranon se piu shampanjë me të akuzuarin për vrasje me pagesë

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka komentuar përmendjen e emrit të tij në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit Bekim Raja, për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Bekim Raja po akuzohet nga Prokuroria se ka porositur vrasjen e Gjinit.

Në seancën e mbajtur gjatë ditës së djeshme i akuzuari Bekim Raja është pyetur nga vëllai i viktimës Ferdinand Gjini, Pashku, nëse e njeh Nasim Haradinajn.

Në një fotografi të paraqitur në seancën e djeshme, nga vëllai i Ferdinand Gjinit, shiheshin Hajdar Beqa, Nasim Haradinaj dhe tani i akuzuari Bekim Raja në jahtin e këtij të fundit deri sa pinin shampanjë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Nasim Haradinaj ka thënë se Bekim Rajën e njeh shumë kohë më parë, madje e cilësoi si një person që ka bërë mirë për njerëzit e varfër.

“S’ka lidhjet e mia, Bekim Raja njihet si njeri human që ka bërë shtëpia për njerëzit e varfër. Ne e njohim në bazë të asaj, por unë e njoh edhe nga tezakët e mi që janë në Zvicër krejt normale është. Sa i përket asaj unë s`kam lidhje, ajo fotografi është e Facebook- ut që e kemi publiku ne dikush prej shokëve, nuk është bërë ajo fotografi nga persona që nuk kanë qenë aty. Çka ka lidhje, unë edhe sot mundem me u shoqëru me një person që nuk e di çka ka bo, unë e njoh si investitor të mirë, ka bërë rreth 12 shtëpi edhe në rajonin e Deçanit për të varfërit”, tha Haradinaj për KALLXO.com.

 

Ai shton se bisedat me Bekim Rajën nuk do të i ndaloj edhe nëse del ose jo i pastër nga procesi gjyqësor i vrasjes së Ferdinand Gjinit.

“Me Bekim Rajën prapë nesër edhe nëse dul ose jo i pastër unë prapë flas me të çka ka lidhje kjo punë. E drejta e shoqërimit është, nëse jam element për prokurorinë le të urdhërojnë s’ka problem”, tha ai.

Ende nuk është prezantuar nëse është fajtor apo jo. Unë asnjë grimë nuk ndihna keq, për Bekim Rajën nëse e ka bërë atë, por pse kam shoqëri me të çka ka lidhje kjo, secili jep përgjegjësi për veten”, tha Haradinaj tutje për KALLXO.com.

Në procesin gjyqësor ndaj Bekim Rajës janë sfiduar lidhjet e tij me politikën.

Në po të njëjtën seancë për vrasjen e Ferdinand Gjinit është përmendur edhe ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

 

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, vrasje që ka ndodhur më 2014 në Prapaqan të Deçanit, po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.

Në këtë rast, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkëpunim kriminal, në qershor të vitit 2014 e kanë vrarë Ferdinand Gjinin.

Për vrasjen e Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa ditë të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Gjon Pnishi ka rrëfyer para trupit gjykues momentin prej njohjes me Bekim Rajën e deri në përfundim të ngjarjes, që përfundoi me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë proces gjyqësor – LINK