Vrasja e shtatzënës, Kurti kërkon mobilizimin e institucioneve për mospërsëritje të rasteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth rastit të vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë, nga i dyshuari burri i saj, i cili më pas kreu vetëvrajse, siç konfirmuan autoritetet.

Kreu i ekzekutivit ka thënë para mediave se duhet të vazhdohet fushata institucionale e shoqërore kundër dhunës në familje dhe kundër vrasjes së grave për të cilat Kurti ka thënë se “është shndërruar tash në një lajm të shpeshtë e që është e papranueshme për neve dhe që duhet të dënohet nga të gjithë”.

“Në anën tjetër mekanizmat dhe organet shtetërore duhet të veprojnë për të gjitha këto raste e situate në mënyrë që të mos ketë anjëherë përsëritje të këtilla mizore e kaq të rënda për gratë, për shoqërinë tonë e në veçanti për ato familje” – ka thënë Kurti para gazetarëve deri sa ka shtuar se organet si prokuroria, gjyqësori, policia, ministria e drejtësisë, dhe të gjithë duhet të jenë të mobilizuar.

35-vjeçarja shtatzënë Hamide Magashi u vra javën e kaluar, pranë objektit të Gjinekologjisë në QKUK.

Kjo ngjarje nxiti reagime të shumta me ç’rast pati edhe protesta në kryeqytet.

Lidhur me këtë vrasje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

Bashëshorti i Hamides,Sokol Halili ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas së tij e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë.Ajo u qëllua tri herë nga Halili me armë ndërsa ky i fundit pasi dyshohet se kishte kryer veprën ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Halili po kërkohej nga organet e rendit që nga orët e mbrëmjes së 30 nëntorit.

Pas më shumë se 40 orësh në arrati, policia kishin arritur ta lokalizonin se ku ndodhej Sokol Halili dhe ndërmorrën edhe aksionin për arrestimin.

Ndërkaq, Sokol Halili dyshohet se kreu vetvrasje në ora 13:45 në fshatin Davidoc në Komunën e Shtimes, të premten.

Deri më tani përgjatë vitit 2022 në Kosovë tre burra kanë vrarë gratë e tyre.