Qytetarë të Tiranës po protestojnë kundër dhunës policore në këtë foto të 9 dhjetorit 2020. Foto: LSA

Vrasja e Klodian Rashës, prokuroria heton rrethanat se si u gjet arma pas ngjarjes

Prokuroria e Tiranës përgënjeshtroi të martën lajmet për një konflikt fizik mes 25 vjeçarit të vrarë nga policia Klodjan Rasha dhe oficerit Nevaldo Hajdaraj, i cili është arrestuar për vrasje në tejkalim të mbrojtjes personale.

Por duke reflektuar mbi shqetësimet e shprehura nga publiku mbi veprimtarinë e policisë pas ngjarjes së 8 dhjetorit, prokuroria thotë se është duke hetuar “veprimeve të kryera nga subjektet proceduriale”, por pa shpjeguar konkretisht se për çfarë bëhet fjalë.

Prokuroria thotë se i kanë lindur dyshime mbi rrethanat e gjetjes së armës nga policia dhe raportimit se arma dyshohej se i përkiste Klodjan Radhës.

“Nisur nga fakti se në vendin e ngjarjes nuk ka mungesë ndriçimi, se raportimi për gjetjen e armës është kryer rreth një orë e gjysmë pasi kishte nisur hetimi për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së të riut, si dhe faktit se u raportuan dyshime se i përkiste të ndjerit pa u kryer ende ekspertimet dhe veprimet hetimore të nevojshme, po hetohet se në cilat rrethana dhe se si u gjet atje kjo armë,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria lë të kuptohet se ekspertimi kriminalistik i armësh nuk ka përfunduar por sipas saj “edhe nëse nga ekspertimi kriminalistik do të rezultojnë shenja të gishtërinjve të viktimës, nga hetimet e deritanishme është konkluduar se ai nuk ka pasur armë zjarri me vete në momentin e ngjarjes”.

Prokuroria iu drejtua publikut të gjerë, medias dhe familjarëve të viktimës duke kërkuar që të kihet besim se hetimi i saj do të jetë i plotë.

Pas mesit të natës më 8 nëntor, Klodjan Rasha u vra nga oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj. Në orët që pasuan, lajme të shumta kontradiktore rodhën në media, përfshirë sugjerimet se viktima kishte precedentë penalë. Vetë policia deklaroi se kishte gjetur një pistoletë në zonën përreth që dyshohet se i përkiste viktimës, deklarata që duket se zemëruan një pjesë të publikut.

Policia e Shtetit është vënë nën presion publik pas ngjarjes nga protestat e shumta të të rinjve, disa prej të cilëve kanë hedhur gurë dhe janë përleshur me forcat policore.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen në ditën e dytë të protestave, të cilat vijuan me kërkesën për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.

Megjithëse kanë kaluar tashmë shtatë ditë nga ngjarja, qeveria vijon të jetë në vështirësi. Kryeministri Edi Rama firmosi një akt normativ me fuqinë e ligjit de një vendim në bazë të këtij akti normativ për t’i akorduar familjes së viktimës një pension, gjë që u komentua në disa raste si një abuzim me të drejtën e ndryshimit të ligjeve me akt normativ si dhe si blerje gjaku sipas rregullave të kanunit. Vetë familja e viktimës u shpreh e neveritur nga sugjerimi në vendimin e qeverisë se vdekja e 25 vjeçarit Klodjan Rasha ishte “aksident” i ndodhur gjatë veprimeve policore./Reporter.al