Protesta në Shkodër për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Foto: Anila Dushi

Policia e Shkodrës arreston 2 fëmijë me shishe benzine në protestë

Dy të mitur të moshës 13 dhe 15 vjeç u arrestuan nga policia në Shkodër, pasi u kapën me shishe benzine në protestën e organizuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Policia njoftoi se fëmijët u kapën me shishe benzine, që sipas policisë mund të përdoreshin për të ndezur zjarr apo dëmtuar pronë publike gjatë protestës.

Të shtunën dhjetra qytetarë shkodranë u mblodhën në qendër të qytetit për të protestuar, për vrasjen e Klodian Rashës. Ata kërkuan dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe akuzuan qeverinë se po shkaktont eksod të të rinjve.

Ndryshe nga protesta e një jave më parë, qytetarët kanë qenë dukshëm më të paktë në numër. Në shesh ishin vetëm 3 pankarta dhe po kaq flamuj.

Por po ashtu ndryshe nga një javë më parë, kur protestuesit thyen xhamat dhe dogjën mobiljet e selisë së Partisë Socialiste, policia kishte marrë masat dhe rrethuar institucionet që mund të sulmoheshin. Protestuesit u shpërndanë paqësisht, por dy të mitur u kapën me shishe me benzinë dhe policia dyshon se do përdoreshin në sulm ndaj insitucioneve. (reporter.al)