Vonesat në “Kompleksin Qafa”, sipas punëkryesit, janë pasojë e problemeve të komunës

Në tetor të vitit 2019 ishte përuruar fillimi i projektit për ‘renovimin e kompleksit Qafa dhe ndërtimin e parqeve rekreative-sportive’.

Ky projekt konsiderohej ndër më të mëdhenjtë në investimet kapitale të viti 2019 ku komuna kishte ndarë mbi 1 milion euro.

Hartimi i këtij projekti ishte bërë nga studentja e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Yllkë Kosumi.

Punimet për këtë projekt pritej të mbylleshin brenda viti 2020, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sipas punë-kryesit ‘Rexha Sh.p.k’, që janë përfitues të këtij projekti, këto punime kanë filluar me vonesë për shkak se komuna ka qenë në proces gjyqësor me një biznes të asaj zone.

Ata për KALLXO.com tutje thanë se janë pronarët e parkingjeve në atë pjesë që nuk po lënë këto punime të fillojnë pasi nuk duan që t’i marrë përsipër ndërmarrja “Prishtina Parking”.

Projekti i punuar nga studentja Yllkë Kosumi

“Punimet kanë filluar 6 muaj me vonesë sepse komuna ka pasur probleme pronësore, kjo pastaj është rregulluar pas procesit gjyqësor, por tani kemi probleme me disa banorë, ata nuk duan që në të ndërhyjmë në parkingje sepse thonë se nëse rregullohen do i marr përsipër ndërmarrja ‘Prishtina Parking’. Pra këto vonesa për kryerje të punimeve nuk varen nga ne, por nga problemi që ka komuna me banorët përreth. Përndryshe sa të ngritën temperaturat ne do vazhdojmë me punime në disa pjesë që kanë mbetur gjysmë”, thonë nga kompania që po kryen këto punime.

Ndërsa, Evelinda Berisha Metaj, banore e kësaj zone për Kallxo.com ka thënë se parku i lagjes po shfrytëzohet për parking të veturave dhe se ata si lagje kanë kërkuar që të merret në menaxhim nga “Prishtina Parking”.

“Nuk ka asnjë lëvizje sa i përket parkingut, ne si lagje kemi kërkuar që ai të merret ne menaxhim nga ndërmarrja komunale. Parkingu në lagjen tonë menaxhohet nga persona të cilët marrin para nga ne në baza mujore dhe na vënë kushte dhe ndërrojnë çmime sa herë të duan”, ka thënë Metaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ndërmarrjen publike “Prishtina Parking” e cila ka hyrë në funksion në qershor të vitit 2020 ku thonë se çdo parking në hapësira publike do futet në menaxhim të tyre.

“Çdo hapësirë publike që është e dedikuar për parkingje do futet në menaxhim të ndërmarrjes”, thonë nga NPL “Prishtina Parking”.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga komuna e Prishtinës lidhur me këto probleme dhe vonesa por nuk kemi marr ndonjë përgjigje.