Vonesat e rrogave në Trepçë, kundërthënie mes kryeshefit dhe drejtorit të minierës

Edhe pse është gjysma e muajit maj, minatorët e Trepçës ende nuk i kanë marrë rrogat e tyre. Në lidhje me arsyet e vonesës së pagave ka kundërthënie mes palëve.

Kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti ka pranuar se rrogat u janë vonuar pasi ndërmarrja nuk ka arritur të gjenerojë të hyra prej shitjes së xeheve.

“E vërtetë është. Ka ndodhë për shkak të pamundësisë për me gjeneru të hyra prej shitjes së koncentratit edhe kjo është arsyeja. Edhe mua më kanë thënë që kena me punu, kena me ba maksimumin po nuk e kanë ba. Në vend se me u bo 20,000 ton xehe, janë ba 6,000 ton xehe. E unë nuk jam minator, jam kryeshef”- pati thënë ai.

Por “arsyetimin” e kryeshefit se është dashur të bëhen 20,000 tonë xehe, por janë bërë 6,000 tonë xehe e ka kundërshtuar drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku.

“Për muajin prill janë kanë të planifikume 12,996 tonë jo 20,000 tonë   Janë përpunuar 6,000 e diçka tonë, po qajo xehe ka vazhduar me u përpunur edhe në muajin maj, që janë përpunu edhe gati 2,000 tonë pra janë 8000 e diçka tonë të përpunuara. Prej tyre janë fitu diku rreth 250 tonë koncentrat të zinkut edhe 200 janë koncentat të plumbit”- ka thënë drejtori i Minierës.

Tutje, ai ka pohuar që ndërmarrja nuk ka arritur të gjenerojë të hyra prej shitjes së xeheve  në muajin mars 2024 sepse sipas tij nuk e kanë pasur lëndën e parë për prodhim.

“Po është e vërtetë. Përafërisht plani nuk është realizu. Po na  krejt muajin mars nuk e kemi pasë landën e parë eksplozive për prodhim edhe krejt muaji mars nuk ka regjeneru të hyra. Në bazë të planifikimit, arsyet janë të shumta ndër to mungesa e minatorëve. Nuk i kam premtu që kena mi bo 20,000 xehe as nuk i premtoj kurrë. Me qit teknologji, pa investime, unë kurrë me qit numër të fuqisë punëtore, pa xehtarë të çertifikuar nuk garantoj absolutisht as muajt e ardhshëm”- shtoi Sadiku.

Sipas drejtorit të minierës, Shyqyri Sadiku, Trepçën e kanë sjellë në këtë gjendje shumë faktorë si borxhet e mëdha, menaxhimi i mëhershëm e kushtet e pafavorshme teknologjike.

“Është trashëguar, Trepça me borxhe të mëdha, probleme të tilla edhe kaniher mjetet kur i shesim prej koncentratit i marrin përmbaruesit. Është edhe menaxhimi i mëhershëm ka qenë i tillë që e ka pru në këtë situatë.. Nuk muj me i lonë fajtor as minatorët, as na nuk jemi fajtor, d.m.th deri sa nuk ki teknologji edhe nuk ki kushte elementare për punë, unë nuk mundem me i lonë fajtor kta. Edhe qeveria edhe menaxhmenti me kriju kushte ma të mira, atëherë na lypim përgjegjësi prej minatorëve pse nuk ka dalë prodhimi”.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi minatorët janë kthyer në punë me premtimin se do i marrin rrogat të premten.

“Ka ndryshuar pak gjendja. Kanë filluar punën me premtimin se do i marrin pagat deri të premten (17.05.2024)”- ka thënë Januzi për KALLXO.com.

Minatorëve të Trepçës sërish ju vonohen rrogat