Trepça - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

"Trepça" kërkon kthimin e pronave të saj

Ndërmarrja “Trepça” ka kërkuar t’i kthehen pronat ashtu siç i ka pasur në të kaluarën.

Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje u ka bërë thirrje subjekteve fizike e juridike, gjithashtu edhe organizatave të shoqërisë civile të cilat shfrytëzojnë pronat e “Trepçës”, që brenda 30 ditësh të lajmërohen në zyrat e ndërmarrjes në Mitrovicë.

“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me apo pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të “Trepça Sh.A.”, që në afatin 30 ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”- thuhet në njoftim.

Synim i menaxhmentit thuhet se është ringritja e ndërmarrjes drejt një gjigjandi ekonomik.

Pronat që pretendohen t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, disa do të lëshohen me qera e disa do të përdoren për zhvillimin e kapaciteteve të reja në “Trepçë”.

“Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e “shoqërisë”- thuhet në njoftim.

Bashkëpunimi me këto subjekte, sipas menaxhmentit të Trepçës, do t’ua kursej kohën dhe do të shkurtojë procedurat gjyqësore deri në realizimin e të drejtës së tyre.