Von Cramon: Kosovës i duhet një planifikim i duhur për investimet në energjinë e ripërtërishme

Eurodeputetja Viola von Cramon ka thënë se Kosova po humb mundësi në investimet në burime të ripërtërishme të energjisë për shkak të procedurave burokratike.

Sipas saj, në Kosovë ka mungesë vullneti politik e pasiguri sa u përket investimeve në këtë sektor.

“Isha vitin e kaluar në verë në Shqipëri, ka shumë panele diellore. E shihni që njerëzit po investojnë vërtet në këtë sektor. Ky është faktor i madh edhe ekonomik. Dhe sigurisht, zvogëlon varësinë nga lëndët djegëse fosile, si këtu thengilli. Mendoj se ka mungesë vullneti politik, ka një pasiguri të madhe se si ta bëjnë këtë. Megjithatë, mendoj se inxhinierët kryesorë, njerëzit kryesorë që ishin përgjegjës për këtë sistem të energjisë dhe rrjetit të shpërndarjes janë ndoshta pak më të vjetër dhe jo shumë të avancuar për sa i përket energjive të rinovueshme, progresive, të decentralizuara etj.” – tha ajo.

Viola von Cramon shtoi se Kosovës i duhet një plan investimi dhe të sigurohet që energjia që prodhohet të kompensohet.

“Ju duhet një planifikim i duhur hapësinor, ju duhet një plan investimi. Por, duhet të siguroheni që edhe energjia elektrike që prodhohet të kompensohet” – shtoi ajo.

Ajo shtoi se situtata për momentin në Kosovë nuk është premtuese sa i përket strategjisë së gjelbër, duke theksuar se vendi bazohet shumë në thëngill.

“Ajo që kam parë sot nuk është vërtet premtuese, por mendoj që mund të rregullohet lehtësisht, sigurisht që është shumë më lirë kështu, dhe ky është problemi për momentin. Në kohën kur çmimet e energjisë po rriten, lënda e parë nuk është aty. Atëherë është gjithmonë e lehtë të mbështetesh apo bazohesh në ato që i di dhe jemi të familjarizuar me to, të bazohemi në gjërat që tashmë i kemi dhe fatkeqësisht në Kosovë ajo që dinë dhe që e kanë është thëngilli”- shtoi ajo.