Viola von Cramon uron presidenten Osmani për hapin e rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka uruar presidenten Vjosa Osmani, për vendimin e Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Von Cramon thotë se ky është në hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës.
“Urime e nderuar presidente Vjosa Osmani për këtë hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës. Është mirë të shohësh një shumicë të gjerë në Komision”- ka shkruar eurodeputetja në rrjetin social “X”.
Congratulations dear President @VjosaOsmaniPRKS for this significant step towards full membership to the @coe (Council of Europe).
It’s good to see a broad majority in the Committee.Welcome to everyone in 🇽🇰becoming finally a member of this important European institution. https://t.co/PIMMzI3RpF
— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺🇮🇱 (@ViolavonCramon) March 27, 2024
Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.
“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18 prill – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social “X”.
Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës kanë njoftuar që është votuar në favor të Kosovës raport- opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, me 31 vota për dhe 4 kundër.
Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.
Në prill të vitit 2023, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakoyannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.
Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.