Viola Von Cramon

Von Cramon e quan blof deklaratën e Vuçiq se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Europës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon ka quajtur blof deklaratën e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se Serbia mund të tërhiqet nga Këshilli i Evropës, nëse Kosova pranohet më këtë organizatë.

“Një blof sigurisht. Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Deklarata (e Vuçiq) nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt” – ka shkruar von Cramon në rrjetin social X.

Ajo ka thënë se anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do të pranojnë.

“Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës. Serbia nuk është larguar nga UEFA dhe FIFA; shumicës së njerëzve në Serbi thjesht nuk u intereson. Përveç para zgjedhjeve, kur është ngritur nga disa zëra kombëtarë” – ka shtuar anëtarja e Parlamentit Europian.

Presidenti Vuçiq ka thënë të premten (22.03.2024) se Kosova me siguri do të pranohet në Këshillin e Europës dhe paralajmëroi se Serbia mund të tërhiqet nga kjo organizatë nëse ndodh një gjë e tillë.

“Do të jetë e vështirë për ne ta parandalojmë këtë, sepse ata e morën atë vendim” – ka thënë Vuçiq për televizionin serb Prva.

Ai ka shtuar se do të shohin nëse Serbia do të qëndrojë në Këshillin e Europës.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Për të t’u anëtarësuar në këtë organizatë, Kryeministri i Kosovës, vendosur ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, anipse tha se nuk i pëlqen ai “vendim i çuditshëm e i padrejtë”.

Kjo për shkak se ndërkombëtarët kanë kushtëzuar ecjen tutje të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Manastirit të Deçanit t’i ktheheshin 24 hektarë tokë. Problematika e kësaj tokës nisi në vitin 1946, kur Manastiri i Deçanit u shpronësua nga disa ngastra toke.

27 vjet më parë, Qeveria serbe me Sllobodan Millosheviqin në krye, lidhi një marrëveshje me Manastirin e Deçanit me të cilën këtij manastiri i fali 24 hektarë tokë. Toka në fjalë, atë kohë kishte qenë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore “APIKO” dhe “Iliria”, njëra hotel e tjetra fabrikë e mjaltit.

Aplikacionin e Kosovës për anëtarësim shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.