Vitia thotë se Kosova ka arritur të sigurojë mbështetje për furnizim me vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Kosova ka arritur të sigurojë mbështetje për furnizim me vaksina që parandalojnë kancerin e qafës së mitrës.

Në një konferencë për media para gazetarëve, Vitia tha se mbështetja është arritur përmes një marrëveshje me organizatën ‘Gavi’.

“Pas shumë vitesh, më në fund në Kosovë në kalendarin e rregullt të vaksinimit tashmë janë edhe tri vaksina të reja, jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët tanë, siç është vaksina e epnomokokut, vaksina për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës dhe vaksina kundër rotavirozës. Me këtë marrëveshje që përfitojmë përkrahje teknike dhe trajnime të vazhdueshme, një pjesë të mirë apo gjysmën e këtyre vaksinave do të na sigurojë organizata ‘Gavi’” – tha Vitia.

Po ashtu, Vitia tha se sot është marrë vendim që të përkrahen edhe për këtë vit specializantët me vetëfinancim. Ai tha se risia është se kësaj radhe do të përkrahen edhe qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

“Fillimisht 375 specializnatë me vetëfinancim, ku sot në qeveri aprovuam që këta të përkrahen me subvencione edhe këtë vit, ashtu siç iu kemi premtuar atyre. Po ashtu u mor vendimi që të mos ketë dallime nga specializantët nga bashkëkombasit tanë që vijnë nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi apo diaspora, të cilët pa dallim do të subvencionohen nga Qeveria” – tha ai.

Tutje në konferencë, ministri Vitia bëri të ditur se janë ndarë 7 milionë euro për vitin 2024, që do të përdoren për funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH).

Gjatë fjalës së tij, Arben Vitia bëri të ditur gjithashtu se gjatë muajit shkurt vjen në Kosovë edhe paisja ‘Petscan’, që shërben për diagonstifikimin e patologjive.

“Kjo e bën Kosovën në Ballkanin Perëndimor në mos gabojë vendin e parë që në sistemin publik ka Petscan. Ky është lajm i mirë, sepse saktësia për diagnostifikim për patologji, është shumë e lartë, por do të kursehen edhe qytetarët dhe nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë” – ka njoftuar ministri Arben Vitia.