VIDEO - PSD ngjyrosë me vijë të verdhë bilancin e premtimeve për dyvjetorin Qeverisë Kurti 

Partia Social Demokratike ka ngjyrosur me vijë të verdhë objektin e Qeverisë me rastin e dy vjetorit të Qeverisë Kurti II.

Anëtari i kryesisë së PSD-së Zgjim Hyseni tregoi që kjo është “vija e bilancit të Qeverisë”, e cila ka vijuar me punë të njëtrajtshme, pa progres dhe pa realizim të premtimeve nga ana e Qeverisë.

Përfaqësuesi i PSD përmendi disa prej premtimeve të pa realizuara të Qeverisë, përfshirë ndërtimin e çerdheve, banesave për çiftet e reja dhe mungesës së barnave në shëndetësi.

“Kanë premtuar që kanë me i ndërtu 160 çerdhe të reja nuk është asnjë, nuk ja kanë bërë vijë, këta i kanë premtuar 4 mijë banesa për çifte të reja, nuk ka as gurthemel, që domethënë nuk ia kanë bërë vijë, këta kanë thënë që kemi me rregullu shëndetësinë edhe nuk ka me pas më mungesë të barnave, kanë thënën qe kemi me i bë sigurimet shëndetësore, gjendja është vetëm më keq, nuk ia kanë bërë vijë”- tha Hyseni në konferencë për media.

Po ashtu ndër premtimet e tjera të parealizuar që vuri në pah ishin mungesa e inspektorëve të punës dhe mosndërtimi i shtatë shtëpive të pleqve.

Ai potencoi që Qeveria nuk e ka pasur programin transformues e madje as atë se ka filluar ende.

“Kjo Qeveri edhe ashtu nuk e ka pasur programin transformues, këta kanë heq dorë prej kauzave, ato me të cilat janë identifikuar si lëvizje përpara se me u afru te pushteti. Edhe sikur të ish zbatu programi qeveritar në përpikmëri, nuk ish bërë asgjë se edhe ashtu nuk ka qenë diçka e madhe, problem është se këta as nuk kanë filluar, nuk ia kanë bërë as vijë”- tha në mes tjerash Hyseni i PSD-së.