VIDEO: Momenti i arrestimit të dy vëllezërve nga Prizreni për fajde

 

Në emisionin e sotëm të “Drejtësia në Kosovë” u shfaqën pamjet ekskluzive të aksionit të Prokurorisë Themelore në Prizren në luftën e tyre ndaj fajdeve.

Një furrtar nga Prizreni ishte viktimë e dy personave të dyshuar të cilët merreshin me fajde.

Pasi viktima e kishte të vështirë që shtëpinë e tij e cila kushtonte rreth 400 mijë euro ta jepte në formë kamate për 50 mijë euro të cilët ia kërkonin dy vëllezërit e dyshuar, ai lajmëroi prokurorinë.

Dëshmitë e tij të dhëna për prokurorinë ishin të mjaftueshme që të niste një proces hetimi ndaj të dyshuarve se po merreshin më fajde.

Deri sa viktima përgatitej që të dyshuarve të ua dërgonte një pjesë të parave që të mos ia merrnin shtëpitë, hetuesit policor ishin vendosur rreth vendit ku do të ndodhte ky dorëzim i parave.

Pamjet ekskluzive të policisë deri sa po fillonin aksionin e arrestimit janë shfaqur mbrëmjene  sotme në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Deri sa ishte bërë dorëzimi i parave, njësitet policore ishin futur brenda objektit të furrtarit ku gjendeshin edhe dy të dyshuarit që kishin pranuar paratë.

Në xhepin e xhaketës policia arriti të gjej një shumë prej dy mijë eurosh për të cilat të dyshuarit thanë se furrtari ia kishte borxh atyre.

Gjithashtu gjatë kontrollit të makinës së të dyshuarve prokuroria dhe policia hasi edhe në dokumentacionin e kadastrit të shtëpisë së viktimës.