VIDEO: Drejtori i Aviacionit flet për ‘marrëveshjen’ ajrore mes Kosovës dhe Serbisë

Dy ditë më herët qytetarët e Kosovës u njoftuan se është arritur një marrëveshje në Berlin për hapjen e korridorit ajror mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i arritjes së marrëveshjes ishte drejtuar nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell dhe i dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Madje, kjo mori marrëveshje edhe vëmendjen e presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

Mirëpo, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, nuk po e quan ‘Marrëveshje’, por “Letër interesi”.

Korridorin ajror të hapur nuk do të mund ta shfrytëzojnë të gjitha kompanitë. Këtë korridor do ta shfrytëzojë vetëm kompania gjermane “Lufthansa’, thotë Berisha, pasi që ajo ka qenë e vetmja që ka shprehur iniciativë për këtë.

“Për momentin kompania ‘Lufthansa’ ka kërkuar të fillojë me operim të këtij fluturimi. D.m.th. është dalë e para që ka shprehë iniciativë për fillimin e operimit të këtij fluturimi, mirëpo nuk përjashtohet në të ardhmen që edhe kompanitë e tjera të shprehin dëshirë të ngjashme, varësisht prej leverdisë ekonomike. Për këtë kompani jemi pajtuar edhe ne, edhe pala serbe, që mund të përdorë hapësira ajrore për të operuar nga Prishtina dhe Beogradi”, thotë Berisha në një intervistë për KALLXO.com.

 

Kompania gjermane do të mund të operojë vetëm rrugën Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas.

“Kompania ajrore gjermane ka marrë përkrahjen e shtetit të Kosovës vetëm për zhvillimet e fluturimeve Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas pa pika të mëtejme. Pra, aeroplani i njëjtë nuk mund të të lëvizë nëpër pika të tjera, nëpër destinacione të fundit, por vetëm prej një pike në tjetrën dhe anasjelltas”, thotë tutje ai.

Berisha thotë se i gjithë procesi i arritjes së kësaj marrëveshjeje është udhëhequr nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin.

“I gjithë ky proces është udhëhequr nga Ambasada e ShBA-së në Berlin në kuadër të misionit që ambasadori Richard Grenell e ka nga presidenti Donald Trump me qëllim të vendosjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Si pikë e parë, në të cilën ata janë dakorduar që të trajtojnë ka qenë aviacioni”, thotë tutje Berisha.

Berisha, që ka qenë udhëheqës i delegacionit kosovar në këto takime, thotë se ka pasur takime të shumta për këtë çështje, ndonëse publiku u njoftua vetëm kur është arritur marrëveshja.

“Sigurisht se janë informuar (Kryeministri dhe Presidenti) sepse pa një përkrahje të tillë ne nuk do të ishim në gjendje që ta nënshkruajmë një letër të tillë të interesit”, thotë në mes tjerash Berisha.

Berisha thotë se presidenti Thaçi e ka diskutuar dhe është dakorduar me Grenell në lidhje me këtë temë.

“Nuk jam në dijeni që ka qenë Presidenti drejtpërdrejt pjesë e këtij ekipi, por ka qenë një delegacion i Kosovës që jemi dakorduar për tekstin e kësaj letre, por natyrisht se presidenti Thaçi është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin Grenell dhe natyrisht se kjo temë është diskutuar dhe dakorduar mes tyre”, thotë Berisha.

Berisha ka treguar se ditëve në vijim, Ministria e Infrastrukturës do ta publikojë letrën e nënshkruar në Berlin nga pala kosovare.

Marko Gjuriq kishte thënë të hënën për Radio Evropa e Lirë se fluturimi midis Beogradit dhe Prishtinës nuk do të funksionojë derisa të hiqet tarifa dhe të rifillohet dialogu i Brukselit.

“Unë nuk mund të deklarohem për qëndrimet e Serbisë karshi Kosovës. Ne e kemi nënshkruar këtë dokument, kemi ofruar përkrahje e mbështetje si dy shtete, ne për Republikën e Kosovës, ata për të Serbisë. Se a do të jetësohet kjo varet nga vullneti i palëve. Republika e Kosovës është e gatshme që t’i ofrojë të gjitha shërbimet ajrore të saj, për Serbinë nuk mund të deklarohem”, thotë Berisha.

Marrëveshja e arritur para 2 ditësh në Berlin parasheh që kompania ‘Lufthansa’ mund të operojë edhe përmes opsionit ‘Codeshare’, që nënkupton se kompania mund të kontraktojë kompani të tjera për t’i kryer këto fluturime, përfshirë edhe kompaninë “Air Serbia’

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës thotë se secila kompani duhet të marrë leje nga Ministria.

“Secila kompani ajrore që dëshiron të operojë në hapësirën ajrore të Kosovës dhe t’i marrë shërbimet në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” duhet të merret leja paraprake nga Ministria Infrastrukturës”, tha Eset Berisha duke mos dashur të komentojë nëse Ministria do ta pajiste me leje këtë kompani.

Berisha e ka qartësuar se rregullat për udhëtim me aeroplan janë të njëjta si të transportit rrugor.

Pra, qytetarët mund të udhëtojnë me letërnjoftim.

“Është paraparë se për udhëtim prej një pike në tjetrën do të shfrytëzohet marrëveshja e arritur në kuadër të dialogut të Kosovës dhe Serbisë, e njohur si marrëveshja me IBM”, thotë Berisha në mes tjerash.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur qëllimin e dy linjave ajrore Eurowings dhe grupit Lufthansa për të vendosur linjë direkte mes Beogradit dhe Prishtinës, të nënshkruara në Berlin të Gjermanisë.

Linjë ajrore Prishtinë – Beograd?

Linjës ajrore Prishtinë – Beograd presidenti amerikan Donald Trump ia ka kushtuar disa fjalë në llogarinë e tij në Twitter. Presidenti Trump këtë e ka quajtur ‘një tjetër fitore’.

Ministria e Infrastrukturës e mirëpret hapjen e korridorit ajror Prishtinë – Beograd

www.kallxo.com