VIDEO - Bllokohet kanalizimi, mbi dy javë uji mbi rrugë në Muhoc të Ferizajt

Ka mbi dy javë që një rrugë në fshatin Muhoc të Ferizajt, në një pjesë të saj është e mbushur me ujë.

Përfaqësuesi i këtij fshati, Rrahman Neziri thotë për KALLXO.com se problem me kanalizimin në këtë pjesë kanë që kohë por që ka mbi dy javë që për shkak të bllokimit të kanalizimit uji po mbet mbi rrugë.

“E kemi raportu problemin edhe në “Birufkacion” edhe në Komunë por akoma nuk kanë ndërmarr asgjë. Kanë qenë, e kanë këqyr por po thonë që është problem më i madh dhe se nuk po munden saktësisht me e gjete vendin se ku është mbyll kanalizimi” – thotë Neziri.

Neziri shton se dikush ka hedhur dhe mbi puseta dhe se autoritetet nuk po munden të gjejnë pusetën e cila është bllokuar.

“Problemi është mjaftë serioz, pusetat janë mbush shumë me ujë. Rruga është që dy javë ashtu, pak më shumë se dy javë por kanalizimi i mbyllur është më gjatë. Kur të fillojnë të reshurat me intensitet ka rrezik me rrjedh edhe brenda shtëpive. Kanalizimi ka dal tek livadhet edhe më herët, gjatë verës ka pas aromë të rëndë prej ujërave të zeza” – thotë Neziri nga fshati Muhoc.

Nga ndërmarrja KRU “Bifurkacioni” thonë se kanë tentuar debllokimin e kanalizimit por pa sukses.

Jeton Shabani, Kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje thotë se më 7 nëntor u hap kanalizimi në atë pjesë.

“Ujësjellësi i Gjilanit na ka asistu por pas hapjes është blloku përsëri. Në kanalin e hapur që shihet në foto, një Operator Ekonomik ka bërë hapjen e kanalit po ka dëmtuar gypin e rrjetit të kanalizimit që kalon në atë pjesë dhe rënia nuk po ka, po hyn prej kanalit të hapur në rrjet të kanalizimit dhe del tek rruga. Është lajmëru Komuna dhe presim se çka po bëjnë zgjidhje”, tha Shabani.

 

Kallxo.com ka kontaktuar edhe drejtorin e Shërbimeve Publike në Ferizaj, Arben Halilin por ky i fundit deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer telefonatën dhe shkrimin dërguar atij.