Vetëvendosje kërkon shkarkimin e Driton Selmanajt

Ushtruesi i detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratave të tij javën e kaluar.

Në një konferencë për media, Aliu tha se zëvendëskryeministri Driton Selmanaj nuk është i mirëseardhur në Kuvendin e Kosovës, pas deklaratës së tij në lidhje me të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë.

“Një qëndrim i tillë është i papranueshëm, së pari nga pikëpamja morale,  së dyti, është mungesë e thellë rrespekti ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre dhe së treti, sepse dëmton në mënyrë të pakorrigjueshme pozicionin shtetëror të Kosovës kudo”, tha Aliu.

Deputeti i Vetëvendosjes tha se qëndrimet e Selmanajt janë përtej raporteve të Vetëvendosjes me institucionet dhe menyrën e formimit të kësaj qeverie, sepse sipas tij, çështja e personave të pagjetur nuk është çështje e një subjekti politik apo një individi.

“Çështja e personave të pagjetur përben shtyllë identitare të shtetit të Kosovës dhe vlerë të paprekshme, andaj në këtë pikë nuk mund të ketë tolerancë. Qytetarët me të drejtë janë fyer dhe lënduar nga këto qëndrime, pikërisht në kohën kur vijojnë negocimet me Serbinë e Vuçiqit”.

Deputeti Aliu tha se çdo ditë që kalon pa marrë masa për shkarkimin e Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit, është “dëmtim dhe fyerje për viktimat e luftës së fundit në Kosovë”.