Vetëvendosje fton për raportim në Kuvend ministrin Zemaj pas rritjes së numrit të rasteve

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) përmes nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci i ka dërguar kërkesë Kryesisë së Kuvendit që të ftohet Armend Zemaj për raportim para deputetëve për situatën me COVID-19 në Kosovë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga LVV, gjendja pandemike në vend është përkeqësuar në mënyrë drastike.

“Pavarësisht përpjekjes vetëmohuese dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, numri i madh i të infektuarve, spitalet e mbingarkuara dhe paaftësia e kësaj Qeverie po e bëjnë përballjen me COVID-19 trefishë më të rëndë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Rritja e numrit të rasteve të reja të prekur me COVID-19, sipas tyre është tregues se Kosova po shkon drejtë thellimit të krizës.

“Gjatë javës së fundit janë regjistruar rreth 2500 raste të reja, kurse betejën me këtë virus e kanë humbur mbi 30 qytetarë. Këto shifra janë alarmante. Kjo është indikative se Kosova po shkon drejtë thellimit të krizës”, thuhet aty.

LVV po ashtu ka përmendur edhe mungesën e një spitali të veçantë për COVID-19.

“Ndonëse Ministri kishte premtuar spital të veçantë për COVID-19, realizimi i tij nuk duket gjëkundi, e Klinika Pulmologjike dhe spitalet rajonale nuk kanë kapacitet për trajtim të një vale të re të të prekurve. Qytetarët e Republikës ndodhën pa mbështetje dhe pa përkujdesje”, thuhet tutje aty.

Partia e udhëhequr nga Albin Kurti ka kritikuar qasjen e qeverisë Hoti duke thënë se ‘kjo Qeveri është zënë e befasuar në paaftësinë e saj’.

“Me riciklim masash pa efekt e jo të duhura, të vonshme e të pazbatuara, Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në një departament të dobët të mbledhjes së statistikave. Shifrat tregojnë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të mangëta, pa analizë dhe pa vlerësim për efektet e tyre në terren”, thuhet në komunikatë.

Sipas LVV-së, është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për gjendjen pandemike në vend, dhe se ministri Zemaj të raportojë para deputetëve për situatën, masat që janë ndërmarrë dhe ato që duhet të ndërmerren për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shëndetin publik në përgjithësi.

Në Kosovë ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dje ka njoftuar se pozitiv më COVID-19 kanë rezultuar 486 persona.