Veseli: Qeveria s'duhet të udhëheq me inate, ka dështuar 6 herë për votimin e pakos për rimëkëmbje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos udhëheq me inate, por të ulen me opozitën dhe Odat ekonomike që të bisedojnë për t’u tejkaluar situata ekonomike në të cilën gjendet Kosova në këtë kohë pandemie.

Veseli ka thënë se trusti pensional nuk është e vetmja zgjidhje, por siç ka thënë ai, Qeveria duhet të zhbllokohet dhe nuk duhet të udhëheq me inat.

“Ata duhet të ulen bashkërisht me ne, me Odat ekonomike, ta tejkalojë situatën ekonomike të cilën e kemi bashkërisht, edhe të mos prodhoj lajme të cilat kanë vetëm qëllim social, duke u munduar të joshë përmes trustit pensional, për arsye se nuk është trusti e vetmja zgjidhje, është prodhimi, këto fabrika, rrotullimi i këtyre makinerive ajo që e zgjedh problemin ekonomik dhe social në Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Këto komente, Veseli i bëri gjatë vizitës së fabrikës së pelenave “Tina”, në Topanicë të Kamenicës.

Sipas një komunikate për media, ai e ka cilësuar si të dhembshme që pronari i kësaj fabrike, Zijadin Ismajli i cili ka ardhur nga jashtë që të investoj në Kosovë, të mos përkrahet nga Qeveria.

Kreu i PDK-së, ka thënë se janë 286 mijë familje të cilat varen nga bizneset e sektorit privat.

“Në fakt, është e dhembshme kur e sheh një investim të tillë, rreth 600 mijë franga, të ardhura nga një njeri i yni, i Kosovës, të investojë në vendin e vet, të prodhojë në vendin e vet, t’i ofrojë mundësi familjeve punëtore të vendit të vet që të kenë edhe të ardhura, që të mos përkrahet edhe nga shteti. Gjashtë muaj janë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike që presin, janë me mijëra biznese dhe 286 mijë familje të cilat mbahen pikërisht nga sektori i privat, si në këtë fabrikë të Zijadinit që presin përkrahje nga shteti. Gjashtë herë dështime në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta miratuar një pako”,  thotë ai.

Veseli thotë se ndërmarrësit qe 21 vjet kanë mbushur buxhetin e Republikës së Kosovës, mirëpo Qeveria ka dështuar në përkrahje të tyre sivjet kur ata kishin nevojë.

“Është hera e parë pas 21 viteve që këta ndërmarrës të cilët e kanë bërë buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, e kanë mbushur me taksat e tyre, me punën e tyre të ndershme, që kanë pasur nevojë nga shteti, nga Qeveria, edhe këtë herë është duke dështuar. Vërtetë, është e dhimbshme, këtë e ritheksoj edhe nga ky vend, nga kjo fabrikë e pelenave për fëmijë, “Tina” një prodhim jashtëzakonisht cilësor i cili ka arritur të ketë plasmanin në gjithë Republikën e Kosovës, por edhe jashtë, në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Veseli.

Veseli gjithashtu thotë se është rast i rrallë kur opozita është e gatshme ta përkrahë një pako të rimëkëmbjes ekonomike.

“Një mentalitet vërtetë bllokues nga dy Qeveritë, edhe ajo paraprake e cila qëndroj vetëm 52 ditë, edhe kjo e cila po qëndron këtu, po qëndron lodhshëm, nuk pranon, rast unikat në botë ndoshta kur opozita është e gatshme të përkrahë një pako të rimëkëmbjes ekonomike, në fakt edhe të propozojmë si Partia Demokratike e Kosovës dhe Qeveria, do të thotë të jetë e bllokuar për gjashtë muaj, gjashtë herë ta dërgoj në Kuvend, mos të ulet me Odat ekonomike, mos të ulet me ndërmarrësit si Zijadini, dhe ndërmarrësit tjerë”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, pronari i kësaj fabrike, Zijadin Ismajli thotë se kjo është vizita e parë nga një politikan, ku dhe shprehet falënderues ndaj kreut të PDK-së.

“Është vizita e parë që na viziton një personalitet nga politika. Siç po e shihni edhe vet, ne makinën e kemi të nxjerrë nga përdorimi, shkaku i epidemisë. Ne nuk kemi ndihmesa nga shteti, po as vizita nuk kemi pasur kurrë. Kjo është vizita juaj e para dhe ju falënderoj përzemërsisht që na keni bërë këtë vizitë”, ka thënë Ismajli.