Dosja: Policët e grushtuan të arrestuarin në veturë
Gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 8 zyrtarë policor për akuzat të keqpërdorimit të deytës zyrtare.
KALLXO.com ka siguruar arsyetimin e Prokurorisë për kërkesën për paraburgimin e tyre.
Prokuroria në arsyetimin e saj thotë se në rast se të pandehurit do të liheshin në liri, rrezikojnë t’i përsërisin veprat e njëjta.
Të pandehurve Bedri Januzi, Visar Shala, Vedat Fetahu, Valon Bajqinca, Rexhep Selimi dhe Millosh Kovaceviq iu është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, derisa të pandehurat Marigona Gashi dhe Donike Mjaki janë obliguar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet dy zyrtarët policor, Valon Bajqinca dhe Rexhep Selimi kishin rrahur dhe ofenduar dinjitetin e qytetarit, duke i kaluar kështu detyrat e tyre të autorizuara sipas ligjit.
“Te pandehurit Valon Bajqinca dhe Rexhep Selimi, me datë 18.12.2019, në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, të tipit “Skoda Rapid”, ngjyrë e hirit, me targa “Police 194-03”, e cila është në shfrytëzim të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, gjatë kryerës së detyrës zyrtare, të pandehurit Valon Bajqinca dhe Rexhep Selimit, gjatë shoqërimit të tani të dëmtuarit F.F., me nofkën “X” për në stacionin Policor Jugu në Prishtinë, në bashkëkryerje, duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tyre e keqtrajtojnë dhe e fyejnë rëndë dinjitetin e të njëjtit, ashtu që e godasin me boksa”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarve.
Viktima posedon edhe raportin mjekësor të lëndimeve që dyshohet se i ka marrë nga goditjet e policëve.
Tutje në një rast tjetër, i pandehuri Valon Bajqinca, dyshohet se e ka kapur për kapele një qytetar dhe e ka rrahur pasi që e ka prangosur.
“Gjatë shoqërimit të tani të dëmtuarit H.H. për në stacionin policor Jugu, i pandehur Valon Bajqinca ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, ashtu që e keqtrajtojnë, frikësojnë dhe e fyjnë rëndë dinjitetin e viktimës, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikike mbi të, kjo pasi fillimisht tani i dëmtuari ishte duke e kaluar rrugën në vendkalim të këmbësorëve, për një cast kapet për kapele duke e tërhequr mbrapa nga ana e tani të pandehurit dhe të njëjtin më pasë e kishte prangosur duke e futur në veturën zyrtare të policisë, duke e ofenduar me fjalët – “Ta ….. nanën, ti mangup me u bo a, vagabond”, dhe pas dërgimit të tij në Stacionin Policor Jugu, i pandehuri e kishte goditur me gjurin e tij në këmbë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Dy të pandehurit e tjerë, zyrtarë policor, Visar Shala e Bedri Januzi dyshohen se e kanë ofenduar e keqtrajtuar të dëmtuarin L.K.
“Mshele gojën oj lopë, majmun, zdralë, çiftin tënd duhet me e dërguar me Elefanta në Afrikë”, citohet t’i kenë thënë viktimës dy zyrtarët policor.
Zyrtarja policore Marigona Gashi, tani e pandehur dyshohet se e ka goditur me shuplakë viktimën L.GJ. dhe e kanë ofenduar me fjalë.
“As një mos ta ndiej, se të kuqi dajak”, citohet të ketë thënë policja Marigona Gashi, pas ankesës së viktimës se prangat janë duke ia lënduar duart.
Poashtu, të pandehurit Bedri Janazui dhe Visar Shala akuzohen se nuk e kanë dënuar një lokal që ka bërë kundërvajtje aq sa parashihet me ligj, duke ia ulur dënimin për 300 euro.
“Të pandehurit Bedri Januzi dhe Visar Shala, me datë 23.11.2019, në orën 00:19, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, i pandehuri Visar Shala, në mënyrë të drejtpërdrejtë ushtron ndikim te kolegu i tij Bedri Januzi, ku përmes telefonit kërkon që lokalit “X-X” të mos i shqiptohet tiketa për kundërvajtje në vlerë prej 500 euro, por t’i ulet në 200 euro, në këtë mënyrë, i pandehuri Bedri Januzi, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitoj cfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, ashtu që i shqipton tiketë për kundërvajtje me vlerë prej 200 euro, lokalit të cekur”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Të gjithë mbrojtësit e të arrestuarve i kanë mohuar pretendimet e prokurorisë.
Shpulla e sharje në stacion policor, provat e Prokurorisë për policët e arrestuar