Foto: Ilustrim

Shpulla e sharje në stacion policor, provat e Prokurorisë për policët e arrestuar

8 zyrtarë policorë janë vënë në pranga në një aksion të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë më 5 mars.

Bedri Januzi, Visar Shala, Vedat Fetahu, Valon Bajqinca, Rexhep Selimi, Millosh Kovaçeviq, Marigona Gashi dhe Donikë Mjaki po dyshohen për disa vepra që përfshijnë keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare, lëndim, falsifikim të dokumentit zyrtar, ushtrim ndikimi dhe vepra të tjera.

Sot Gjykata e Prishtinës ka vendosur që për 6 të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit ndërsa për të pandehurat Marigona Gashi dhe Donikë Mjaki u caktua arresti shtëpiak.

Të gjithë të pandehurit kanë mohuar pretendimet e Prokurorisë në këtë rast.

Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit që e ka siguruar KALLXO.com, Valon Bajqinca dhe Rexhep Selimi në dhjetor të vitit 2019 në veturë zyrtare të Policisë gjatë shoqërimit të një të pandehuri e kanë keqtrajtuar, frikësuar, fyer atë dhe goditur me boksa. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajqinca kishte bërë edhe video në këtë rast dhe të njëjtën ia kishte dërguar kolegëve.

Valon Bajqinca dyshohet për keqtrajtim të të arrestuarve edhe në dy raste tjera, në njërin rast duke i thënë “ gojën ta prishi, krejt brinjtë ti thyej”

Ndërkaq, të pandehurit Visar Shala, Bedri Januzi dhe Veton Zekaj, po ashtu dyshohen se gjatë shoqërimit të një personi për në stacion policor e keqtrajtojnë atë  duke i thënë “Mshele gojën, oj lopë, majmun, zdral”, si dhe duke e goditur me shuplaka e shkelma  brenda stacionit.

Të dyshuarit Millosh Kovaçeviq dhe Egzon Gërbavci, po ashtu dyshohen se e kishin keqtrajtuar një person në stacion policor duke i shkaktuar lëndime trupore, për të cilat i dëmtuari ishte detyruar të trajtohet në QKUK.

Të pandehurat Marigona Gashi dhe Donikë Majki dyshohet se gjatë shoqërimit në Polici të një të dyshuare e kishin keqtrajtuar, në atë mënyrë që kur e dëmtuara kishte kërkuar që t’i lirohen duart se prangat po i shkaktonin dhimbje, e pandehura Gashi i kishte thënë “As një zë mos ta ndiej se të kuqi dajak”.

Dosja e Prokurorisë tutje flet për veprimet që dyshohet se i ka bërë Vedat Fetahu, përkatëissht keqtrajtimin e një të dyshuari që po shoqërohej në stacion policor. Madje, sipas Prokurorisë i dëmtuari në këtë rast është ngacmuar edhe seksualisht.

Policët tjerë, Visar Shala dhe Fitim Bellaqa dyshohen për ushtrim ndikimi në mënyrë që një person tjetër të lirohet nga përgjegjësia e shkaktimit të një aksidenti të trafikut.

Të pandehurit, Bedri Januzi dhe Millosh Kovaçeviq dyshohet se edhe pse kishin marrë informacion se në një lokal po zhvillohej prostitucion ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre dhe madje ishin shoqëruar me një vajzë që punonte në atë lokal dhe kishin kërkuar shërbime prej saj.

Në anën tjetër, Bedri Januzi dhe Visar Shala dyshohet se në bashkëpunim kishin vepruar në dobi të një lokali ashtu që i kishin ulur gjobën e paraparë të shqiptohet nga 500 euro në 200.

Të pandehurit Vedat Fetahu, Rexhep Selimi dhe Granit Rrahmani dyshohet se nuk kishin vepruar sipas detyrës zyrtare në një rast ku dyshohej se kishin kuptuar që policja Donika Majki  kishte shtënë me armë pasi ishte sulmuar nga një i dyshuar, duke mos hapur fare rast për këtë çështje.

Ndërsa, i pandehuri Bedri Januzi  dyshohet se ka mbajtur në pronësi armën e tipit “Zaza Minical” në kundërshtim me ligjin, së bashku me municion