Foto: Top Channel

Vdesin babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre në liqenin e Banjës në Gramsh

Një ngjarje tragjike ndodhi në Gramsh të premten, aty ku katër anëtarë të një familjeje u mbytën në liqenin e hidrocentralit të Banjës.

Viktimat janë G.Z, 46-vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19-vjeç si dhe nipi 20-vjeçar, të gjithë nga fshati Cingar.

Deri në këto momente është bërë e mundur gjetja e trupit të 46-vjeçarit, ndërsa vijojnë kontrollet e polumbarëve të RENEA-s për gjetjen e trupave të tjerë

Sipas deklarimeve të dhëna nga ana e familjarëve ata kishin ndaluar në fshatin Drizë dhe u futën në liqen për t’u larë. Por më pas ata nuk dolën më nga uji.

Menjëherë drejt vendngjarjes u nis policia dhe buzë liqenit gjeti dy motoçikleta, tre celularë dhe rrobat e trupit të katër pjesëtarëve të familjes Zogu.

Vetëm pak ditë më parë një tragjedi e ngjashme ndodhi në plazhin Vilë–Bashtovë në Rrogozhinë ku një 50-vjeçar u mbyt në det së bashku me dy djemtë e tij të mitur.

Po ashtu, dy persona kanë humbur jetën ditën e sotme pas kontaktit me ujin.

Njëra ngjarje ndodhi në plazhin e Durrësit ku një 68-vjeçar në Porto Romano rreth orës 19:20 sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka vdekur.

Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales, në të cilin vdiq një 52-vjeçar. Po ashtu dyshohet se pushuesi humbi jetën nga i njëjti shkak./ Top Channel