Vdes shkrimtari Ismail Kadare

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka vdekur mëngjesin e sotëm (01.7.2024) në moshë 88 vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia Botuese “Onufri”, botuese e veprave të Ismail Kadaresë.

“Sot, më datë 1 korrik, 2024, në orën 08:50, ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shkrimtari i madh Ismail Kadare. Për ceremoninë e përcjelljes do t’ju njoftojmë në një çast të dytë”- thuhet në njoftimin e “Onufrit’ në Facebook.

 

Kadare u lind më 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës.

Është autori më i njohur i letërsisë shqipe dhe shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhët të huaja.

Është fituesi i disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare. Më 17 tetor 2023, shkrimtarit të madh shqiptar iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Booker”. Ndërsa disa herë ishte përfolur si kandidat pretendent për çmimin “Nobel”.