KFOR

Foto - Afrim Ejupi / Kallxo.com

Vdes në aksident trafiku një ushtar italian i KFOR-it

Një ushtar italian i KFOR-it ka vdekur sot si pasojë e një aksidenti rrugor.

Sipas KFOR-it, aksidenti ka ndodhur në Novosellë, në rrugën që lidh Pejën me Klinën.

KFOR ka njoftuar se ushtari në gjendje kritike dhe pa ndjenja ishte dërguar shpejt me helikopter në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Megjithatë, sipas KFOR-it, vdekja e ushtarit është regjistruar rreth orës 16:50, më shumë se një orë pas aksidentit.

“Në bordin e mjetit të aksidentuar ndodhej edhe një tjetër ushtar i cili u transportua në gjendje të vetëdijshme dhe stabile në Kampin Villaggio Italia me ambulancë dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme” – njofton KFOR-i.

Automjeti i KFOR-it ka qenë automjet ushtarak VM90.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka shprehur ngushëllime.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë shërim të shpejtë ushtarit tjetër të plagosur” – ka thënë ai.

Sipas KFOR-it, Policia Ushtarake Ndërkombëtare po heton shkaqet e aksidentit në bashkëpunim me autoritetet vendase dhe ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, tha për KALLXO.com se personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin ndodhet në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor dhe është ndaluar për 48 orë.