Bahri Beci. Foto: Facebook/ASHSH.

Vdes akademik Bahri Beci

Akademik Bahri Beci ka vdekur të dielën në moshën 86-vjeçare.

Akademik Beci ishe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka bërë të ditur se akademik Beci ishte një personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada.

“Ai është autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”- thuhet në njoftimin e ASHSH-së për vdekjen e akademik Becit.

Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936. Pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.

U specializua për gjuhësi në Paris (Francë), ku mbrojti doktoratën me temën “Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra”  (Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës” . Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës.

Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO.

Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).

ASHSH ka bën të ditur se homazhet për akad. Bahri Becin do të bëhen ditën e martë, 22 gusht 2023, nga ora 09.00-11.30, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda, ndërsa në ora 12.00 përcjellja për në banesën e fundit.