Ballina e librit ‘Gjuha e grave në Kosovë’.

Botohet libri ‘Gjuha e grave në Kosovë’ i Vjosa Osmanit

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar librin “Gjuha e grave në Kosovë” të studiueses Vjosa Osmani.

Libri  Gjuha e grave në Kosovë’ është një studim interesant në fushën e sociolinguistikës dhe të analizës së diskursit.

Përmes këtij libri, autorja ka trajtuar mënyrën e komunikimit të grave, përzgjedhjet gjuhësore që i bëjnë ato, funksionet e tyre, si dhe faktorët që ndikojnë në sjelljet gjuhësore, si dhe pozitën e tyre në shoqëri.

Gjithashtu, autorja shtron edhe disa probleme të tjera, që mund të lindin për shkak të gjuhës, siç janë stereotipet dhe etiketimet seksiste.

Libri ndahet në pesë kapituj.

Sipas recensentëve, Naim Berisha e Shpresa Ismajli, autorja me seriozitet ka trajtuar edhe çështje që lidhen me dallimet gjuhësore në mes të burrave dhe grave në Kosovë.

“Duke u mbështetur në rezultatet e këtij studimi autorja arrin në përfundim se këto dallime pasqyrojnë marrëdhëniet shoqërore e gjuhësore në mes të grave dhe burrave, formohen e ndryshojnë në përputhje me ndryshimet e këtyre raporteve”, kanë thënë rencensentët Berisha e Ismajli.

Studiuesja Vjosa Osmani është punëtore e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ky është libri i saj i dytë.

 

Ballina e librit ‘Gjuha e grave në Kosovë’.