Takimi ASHAK- ASHSH. Foto: ASHAK.

ASHAK dhe ASHSH nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë nënshkruar sot Protokollin e bashkëpunimit për vitet 2022-2023.

Nënshkrimi i këtij protokolli është bërë nga dy kryetarët e akademive, Mehmet Kraja nga ASHAK-u dhe Skënder Gjinushi nga ASHSH-ja.

ASHAK-ut përmes një njoftimi bën të ditur se kjo marrëveshje parasheh bashkëpunim në shumë fusha shkencore e kulturore.

“Protokolli i bashkëpunimit për vitin 2022-2023 përfshin: realizimin e projekteve të përbashkëta dhe organizimin e aktiviteteve shkencore në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë, të shkencave shoqërore, të shkencave të natyrës, realizimin e botimeve të përbashkëta, organizimin e aktiviteteve artistike, si: koncerte e ekspozita, përurime të ndërsjella të botimeve akademike, si dhe bashkëpunim profesional ndërmjet bibliotekave”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit në mes të ASHAK-ut dhe ASHSH-së. Foto: ASHAK.