Vazhdon vapa në Kosovë edhe gjatë fundjavës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në fundjavë do të vazhdojë të ketë mot me vapë e temperatura të larta deri në 36 gradë Celsius.

IHMK-ja ka apeluar qytetarët për kujdes nga rrezet direkte të diellit, për shkak të indeksit të lartë.

Sipas njoftimit, do të mbajë mot kryesisht me diell.

“Të shtunën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë Celsius” – thuhet në njoftim.

Ndërsa edhe të dielën parashihet të ketë mot kryesisht me diell dhe me vapë.

“Minimalet do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-36 gradë Celsius”.

Sipas IHMK-së, gjatë këtyre dy ditëve të vikendit do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit”, thuhet në njoftim.