Vazhdon bllokimi i rrugës kah pikat kufitare, Jarinje e Bërnjak

Të shumtë janë qytetarët që ende po qëndrojnë në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës si shenjë proteste pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zëvendësimin e tabelave të veturave të Serbisë me tabela të përkohshme të Republikës së Kosovës.

Makineri të shumta, automjete private janë vënë në rrugë e cila pamundëson lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një bllokim total të lëvizjes në drejtim të Leposaviqit dhe zonave të tjera të Veriut të Kosovës.

Nga ora 9 e mëngjesit ka filluar bllokimi i rrugës në afërsi të Jarinjës dhe nuk është liruar as tash pas më shumë se 5 orëve.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron në vendin e ngjarjes dhe ka raportuar për praninë e forcave të Policisë së Kosovës në Zubin Potok, Leposaviq si dhe në Jarinje.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme ka ftuar qytetarët që të mos shfrytëzojnë dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak si shkak i situatës së krijuar.