Ujërat e skuqura nga ndotja industriale në Novobërdë

Për më shumë se 50 vite ujërat mbitokësore dhe nëntokësore përreth  komunës së Novobërdës  po ndoten nga rrjedha e përroskave që dalin nga minierat e Artanës. Mijëra litra ujë të ndotur derdhen në përroskën, e cila shkakton ndotje në lumin Marec e tutje shumë lumenj të tjerë të zonës.

Në një raport të publikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për ndotësit e ujërave  të Kosovës thuhet se Minierat dhe shpimet krijojnë sasi të madhe të mbeturinave dhe nënprodukteve që paraqesin sfida në shkallë të gjerë.

Sfidat janë të dukshme edhe në Novobërdë ku lumi Marec ndotet në terren të hapur nga miniera.

Ujërat industrial që shkarkohen nga kjo Minierë në lumin Marec janë ujëra acidik që dalin nga miniera dhe kanë potencial të lartë ndotës.

Në disa fotografi të realizuara nga ekipi i KALLXO.com, shihet vendi prej ku bëhet shkarkimi i ujërave industriale, të cilat përmbajnë acid dhe në pamje kanë një ngjyrë me nuancë në të kuqe.

Nga veprimi i mineraleve në lum është nuk ka gjallesa ndërsa në zonat ku uji ka rrjedhur dhe është tharë nuk mbijnë barishtet.

Selim Frangu drejtor i minierës tregon se problemi me ndotjen e ujërave në këtë zonë daton që nga viti 1962 kur edhe ishte hapur miniera.

“Për tu trajtuar është çështje që duhet të merren në nivele më të larta. Shpresojmë që në të ardhmen do të na ndihmojnë në këtë drejtim”, thotë Frangu.

Në zonë ndotja e ujërave mbitokësore dhe nëntokësore shkaktohet edhe nga mbetjet e minierës të cilat janë të deponuara aty ndër vite.

Materiale të cilat gjatë verës janë të thata shndërrohen në të lëngshme gjatë stinëve kur ka të reshura. Deponitë e rrezikshme nuk kanë të ndërtuara sisteme të kullimit dhe mbrojtës nga ndotja.

“Janë dy punishte me mbetje të më hershme që janë të viteve ’60-ta, dhe se nga to kur ka të reshura ka mundësi që të bëhet ndotja më e lartë” thotë drejtor Frangu.

 

Ai ka folur edhe për ujërat industriale, të cilët shkarkohen nga Miniera e Novobërdës në lum, dhe ka treguar arsyet se pse marrin ngjyrë tjetër.

“Është ai minerali që e ka ngjyrën si hekuri. Përmbajtja e manganit që është te miniera e vjetër, e cila ndodhet te Komuna e Novobërdës sipër, tash për tash nuk ka asnjë aktivitet atje që zhvillohet. Dihet që mangani është ndotës pak më i theksuar por nuk ka në këtë pjesën tonë, vetëm hekuri dhe sulfuri që i japin atë ngjyrën që paraqitet aty”, ka thënë Frangu.

Edhe drejtori i Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Gani Berisha ka folur për KALLXO.com për atë se çfarë ka bërë Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në ndalimin e ujërave industriale që rrjedhin nga Miniera e Novobërdës në lumin Marec.

“Shkarkimi i ujërave industrial në këtë pjesë ka mbetur një problem dhe një sfidë e trashëguar nga ish sistemi, dhe ujërat rrjedhin direkt prej minierës ende. Me leje mjedisore dhe me pëlqim mjedisor është trajtuar ky problem si i trashëguar”, ka thënë Berisha.

Ai tutje ka sqaruar se është ndarë një donacion që të trajnohet dhe të krijohet një qendër e trajtimit të atij uji në mënyrë që të mos derdhet në lum.

Berisha ka folur edhe për rrezikun që shkakton shkarkimi i ujërave industrial nga Miniera e Novobërdës  në lum.

“Sigurisht se ka rrezik, përderisa ka përbërje të madhe të metaleve edhe për bio diversitetin. Në mënyrë indirekte ka ndikim edhe te shëndeti jonë”, ka thënë Berisha.

Miniera, e cila gjendet në komunën e  Novobërdës , karakterizohet si njëra nga minierat me përqindje më të lartë të arit në xehe.

Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Novobërdës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht departamentit të energjisë dhe minierave, resurset e arit në minierën e Novobërdës vlerësohen të jenë afër 3 mijë kilogram.