Screenshot: Novosti.rs

Tre policët kosovarë sot do të dalin përsëri para gjykatës në Serbi

Tre policët e Kosovës ndaj të cilëve Gjykata e Lartë e Kralevës në Serbi ka vendosur masën e paraburgimit prej 30-ditësh, sot pritet të dalin përsëri para gjykatës.

Kështu ka njoftuar Fatmir Haxholli, sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

“Rrugës drejt Kralevës, ku para një gjyqi pritet të dalin përsëri tre policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi” – ka thënë ai.

Tutje Haxholli ka thënë se çdo sekondë i humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje jo racionale me qëllim kamuflimin e një akti bizar përmes një drejtësie me kut e standard mesjetar.

“Lirimi i menjëhershëm i tyre është Sine Non Qua” – tha Haxholli.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka nisur pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe është në pritje të përgjigjeve.

Më 14 qershor 2023, tre policë të Kosovës u kidnapuan nga autoritetet serbe.

Sipas Policisë së Kosovës, tre policët e arrestuar janë kidnapuar në afërsi të Leposaviqit, përderisa autoritetet serbe po thonë se ata janë arrestuar brenda territorit të tyre.

Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin e kryerjes së veprës penale armëmbajtje pa leje, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.