Tre pacientë të Pulmologjisë dalin pozitivë me COVID-19

Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK janë duke u trajtuar rreth 20 pacientë të cilët dyshohet për COVID-19.

Në këtë klinikë një infermiere ka rezultuar pozitive dhe si rrjedhojë e kësaj pas pesë apo shtatë ditë priten të testohet me testin për COVID-19 pjesa tjetër e stafit, ka konfirmuar për KALLXO.com drejtoresha e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti.

“Duhet të presim pesë deri në shtatë ditë (për t’i testuar stafin tjetër), nëse kanë simptome e bëjmë testin më herët nëse jo e bëjmë pas pesë apo shtatë dite”, tha ajo.

Në anën tjetër rreth 50 mjekë e infermierë të tjerë kanë bërë testin e serologjisë për të parë nëse e kanë kaluar infeksionin apo jo, dhe priten rezultatet e tyre.

“Në Institutin e Biokimisë e kemi bërë testin e serologjisë, por ende nuk e kemi marrë rezultatin, këta janë testet që e vërtetojnë se a e kemi kaluar infeksionin  apo jo, po janë bërë rreth 50 testime”, u shpreh ajo.

Ndërsa, në këtë klinikë sipas konfirmimit të drejtoreshës, sot kanë rezultuar pozitvë tre persona të tjerë.

“Rezultatet e tre pacientëve i kemi marrë sot në mbrëmje, të cilët kanë rezultuar pozitivë”, konfirmoi Rukije Mehmeti.

Pas rezultateve të marra, nëse pacienti rezulton pozitiv transferohet nga Klinika Pulmologjisë në Klinikën Infektive.

Gjashtë persona sot janë transferuar në Infektivë, sipas Mehmetit.

“Gjashtë pacientë janë transferuar sot në Klinikën Infektive. Kur të marrim rezultatet në bashkëpunim me Klinikën Infektive i transferojmë në Infektivë, sot i kemi transferu gjashtë edhe tre i kemi pozitvë dhe po presim a ka vend (në Infektivë) për me i transferu atje”, shtoi ajo.

Ndërsa, për infermierën, drejtoresha tha se është në gjendje të mirë dhe në vetizolim.

Për pacientët të cilët rezultojnë negativë, Mehmeti tha se i transferojnë në Dermatologji në mënyrë që t’i ikin rrezikut për infektim me Coronavirus.

“Nëse dalin negativ e ndërrojnë vendin kalojnë në Dermatologji, ku nuk kanë rrezikshmëri për infeksion dhe ua bëjmë trajnimin që kanë nevojë “, tha tutje.

Rezultatet e testeve të bëra sot pritet të dalin sot apo nesër.