Ilustrim

Topanica e Kamenicës futet në karantinë (Dokument)

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës ka marrë vendim që fshati Topanicë i komunës së Kamenicës të vendoset në karantinë.

Sipas vendimit të marrë sot, të siguruar nga KALLXO.com, kjo masë vendoset për shkak që qytetarët kanë pasur kontakt direkt me personin i cili rezultoi pozitiv me coronavirus.

“Fshati Topanicë, Komuna e Kamenicës shpallet zonë karantinë pasi që banorët e këtyre fshatrave dyshohen se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me coronavirus COVID-19”, thuhet në vendim.

Sot më 30 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (69) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, (12) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 5 prej të cilëve janë me vendbanim në Malishevë. 3 me vendbanim në Fushë Kosovë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Mitrovicë dhe 1 në Kamenicë.