I infektuari nga Kamenica vjen nga fshati Topanicë

Një rast i ri i prekur nga coronavirusi është shfaqur edhe në komunën e Kamenicës.

Kryetari i Komunës së Kamenicës tha për KALLXO.com se qytetari i prekur është nga fshati Topanicë dhe është i moshës rreth 40-vjeç.

“Bëhet fjalë për një qytetar që jeton në fshatin Topanicë. Më datën 19 mars ka ardhur në Kosovë nga Gjermania, ka punuar në transport, është në moshë mbi 40 vite. Prej asaj që kemi kontaktuar me familjen dhe stafin mjekësor nuk vuan nga sëmundjet kronike. Për momentin është në Klinikën Infektive”, tha ai.

I pyetur nëse fshati Topanicë do të vendoset në karantinë, Kastrati ka thënë që kjo nuk është kompetencë e Komunës por ka shtuar se do t’i kufizojnë lëvizjet me këtë fshat.

“Nuk është kompetencë e nivelit lokal. Jemi duke kërkuar për sa të kemi mundësi me i zvogëlu lëvizjet me familjet por edhe me fshatin në përgjithësi”, tha ai.

Sot më 30 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (69) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, (12) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 5 prej të cilëve janë me vendbanim në Malishevë. 3 me vendbanim në Fushë Kosovë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Mitrovicë dhe 1 në Kamenicë.