Foshnja 5 muajshe nga Topanica në mesin e të infektuarve me coronavirus

Fshati Tapanicë i Komunës së Kamenicës, ka 12 raste të prekur nga coronavirusi.

Në mesin e të infektuarve është edhe një foshnje 5 muajshe nga familja e të prekurit të parë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti.

“Mund ta konfirmoj se është një bebe 5 muajsh është infektuar, në bazë të analizave të institutit i kanë dalë rezultatet pozitive, dhe është mbesa e personit të infektuar. Ndërsa mosha më e vjetër është një 72 vjeçar, po ashtu familjar i personit të parë”, tha ajo.

Ndërsa infektologu Valbon Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se bebja 5 muajshe nuk është e shtrirë në klinikë.

“Unë mund të ju them se kjo bebe nuk është në Klinikë Infektive dhe unë mund të jap informacione vetëm për pacientët e shtrirë”, tha ai.

Më 30 mars, është konfirmuar rasti i parë me coronavirus nga Komuna e Kamenicës, personi i infektuar ka ardhur nga Gjermania dhe është nga fshati Topanicë.

Ndërsa po atë ditë fshati Topanicë është futur në karantinë.

Numri i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë është 125 persona, një viktimë e 10 të shëruar.

 

Topanica e Kamenicës futet në karantinë (Dokument)