Thirrjet për protestë në Mitrovicë, ministri Sveçla: Të dyshimta që po përhapen nga profile të dyshimta
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se thirrjet për protestë për sot në Mitrovicë me synim marshimin drejt veriut, janë të panevojshme të dyshimta dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.
Sipas tij, këto thirrje po përhapen nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen e thirrjeve për protestë.
“Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”- ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.
Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve, ka shkruar ai, karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garanci e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit.
Edhe policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të injorojnë thirrjet për protestë në Mitrovicë.
Përmes një njoftimi për media, polica u ka bërë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë.
“Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në rrjetet social po qarkullojnë postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.