Thaçi takon Kryeprokurorin e Drejtorin e Policisë, flasin për sigurinë para zgjedhjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni.

Ky takim është mbajtur për tu informuar në lidhje me gjendjen e sigurisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

Thaçi pas këtij takimi është shprehur se Kosova ka krijuar traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike.

“Jam i sigurt se edhe këto zgjedhje do të jenë të lira e demokratike si dhe do t’i përmbushin të gjitha standardet më të larta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Krerët e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë gjithashtu njoftuan presidentin se kanë formuar një Qendër koordinimi të përbashkët, për të shpejtuar shkëmbimin e informatave dhe për të koordinuar veprimin që të reagohet me kohë në çdo situatë.