Thaçi përshëndet arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë sot në Shtëpinë e Bardhë.

Thaçi ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Richard Grenell për udhëheqjen e tyre në këtë process.

“Unë e përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë sot në Uashington. Mirënjohës për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Richard Grenell për udhëheqjen e tyre në këtë proces. Kosova tani do të vazhdojë të punojë në zhvillimin ekonomik, vendet e punës dhe konsolidimin e mëtejshëm të brendshëm dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Thaçi.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump.

Lajmi e bëri të ditur asistenti i presidentit Trump, Judd Deere.

“Presidenti Trump njofton se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik. Edhe një marrëveshje historike e arritur nga ky president, që e bën botën më paqësore dhe më prosperuese”, ka shkruar ai në Tëitter.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, që prej 3 shtatorit kanë zhvilluar takime me ndërmjetësimin e këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Këto takime u tha se kishin në fokus bashkëpunimin ekonomik.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.

Publikimi i plotë i Thaçit:

Faleminderit Amerikë, faleminderit President Trump

Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturore me kapital të madh, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës, njësoj sikur edhe nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të gjithë të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Këto angazhime kanë pasur ndikime pozitive në tërë Ballkanin Perëndimor.

Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentin Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike.

E falënderoj edhe një herë Emisarin Special, Ambasadorin Grenell, për angazhimin e tij gjigant që ky proces të jetë produktiv, efikas dhe besoj edhe i implementueshëm.

Kosova beson në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vizionin e Uashingtonit, pasi gjatë gjithë historisë së Kosovës kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik.

Kosova tani duhet të vazhdojë të punojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja, që shteti ynë të konsolidohet plotësisht në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së është e përjetshme. HTH

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë