Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Tentuan të kontrabandonin emigrantë sirianë dhe egjiptianë, dërgohen në mbajtje dy kosovarë

Policia ka bërë të ditur se ka parandaluar një rast të kontrabandës me emigrantë sirianë e egjiptianë. Dy shoqëruesit e tyre, të dy shtetas kosovarë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Emigrantët janë hasur gjatë kontrollit të njësitë kufitare në pikën statike tek Ura e Bistricës në Zveçan. Ata kanë ndaluar dy automjete me targa vendore, të cilat drejtoheshin nga: A.S., (1984) dhe G.Sh., (1998).

“Policia gjatë kontrollit të automjeteve, ka vërejtur se në to ka shtetas të Sirisë dhe Egjiptit (emigrantë), të cilët po shfrytëzonin vendin tonë si vend transit për të kaluar në shtetet perëndimore. Për rastin është njoftuar prokurori dhe në koordinim me të është iniciuar rasti ‘Kontrabanda me emigrantë’”- thuhet në njoftim.

Policia thotë se rasti do të trajtohet nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale Policore të Kufirit-Veriu, ndërsa me emigrantët do të merren zyrtarët policorë nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së.