Kamioni i ndaluar nga Policia. Foto: Policia e Kosovës

Tentoi të kontrabandojë mbi 11 mijë kilogramë pemë nga Serbia, i dyshuari kapet nga Policia

Mijëra kilogramë pjeshkë, nektarinë, dardha, kumbulla e kajsi janë sekuestruar nga Policia e Kosovës mbrëmë.

Zyrtarët e Policisë, konkretisht njësitë reaguese të stacionit policor në Vushtrri, mbrëmë rreth orës 23:00 pranuan një informacion inteligjent nga njësitë policore kufitare.

Pas pranimit të këtij informacioni, policët me veprimet e tyre hetimore arritën të ndalojnë kamionin me vozitës të dyshuarin shtetas i Kosovës.

Vozitësi i dyshuar pas kontrollit nga zyrtarët policorë është konstatuar se nuk kishte dokumentacion, kurse malli dyshohet se është kontrabanduar nga Serbia.

Nga ana e policëve u kontrollua edhe kamioni që kishte të ngarkuara 4 mijë e 200 kilogramë pjeshkë, 3 mijë e 500 kilogramë nektarinë, 1 mijë e 650 kilogramë dardhë, 1 mijë e 450 kilogramë kumbull dhe 800 kilogramë kajsi.

Policia ka thënë se rasti në fjalë është trajtuar nga Njësia e Hetimeve në Lluzhan, ku është iniciuar rasti ‘kalim i paautorizuar i kufirit’ dhe ‘kontrabandim me mall’.

Tutje u tha se pas përfundimit të procedurave, me autorizim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, kurse kamioni është sekuestruar dhe është​ dorëzuar në terminalin doganor në Mitrovicë.

Kamioni i ndaluar nga Policia. Foto: Policia e Kosovës
Kamioni i ndaluar nga Policia. Foto: Policia e Kosovës
Kamioni i ndaluar nga Policia. Foto: Policia e Kosovës