Tentoi ta godas me veturë pjesëtarin e Komunitetit LGBTQ+, Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit
Prokuroria e Prishtinës sot ka bërë të ditur përmes një komunikate se ka kërkuar paraburgimin e një personi për shkak të veprave penale “kanosja” dhe “nxitja e përqarjes dhe mos durimit”.
Sipas komunikatës rasti ka të bëjë me kanosjen dhe përhapjen e urrejtjes kundrejt komunitetit “LGBT”.
M. Z. ndërkohë që ka qenë duke drejtuar veturën me shpejtësi ka tentuar ta godasë në vendkalim një këmbësor me qëllim të frikësimit dhe të kanosjes, me ç’rast i ka shkatuar shqetësim të madh dhe frikë për jetën, sipas komunikatës.
“I pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, më 01.11.2023, pasi dyshohet se më 29.10.2023, me dashje e me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht personin e dëmtuar, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me shpejtësi të madhe ka tentuar ta godasë në vendkalimin për këmbësorë, por fatmirësisht personi i dëmtuar ka arritur t’i shmanget goditjes nga vetura, derisa me këtë veprim i ka shkaktuar shqetësim të madh, ankth e frikë për jetën”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës në të njëjtën ditë M. Z. përmes rrjetit social Facebook me dashje ka nxitur urrejtje ndaj komunitetit LGBTQ+ duke komentuar në një portal për të dëmtuarin bazuar në orientimin seksual të tij.
Me këto veprime Prokuroria thotë se seriozisht ka rrezikuar prishjen e rendit publik.
“Po ashtu, në ditën e njëjtë, i pandehuri me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim ndaj komunitetit LGBTQ+ bazuar në orientimin seksual të personit të dëmtuar, ku përmes rrjetit social “facebook”, komenton në njërin portal për të, çka me këtë seriozisht e ka rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje për komunitetin LGBTQ+ në territorin e Republikës së Kosovës”.