Telekom Serbia

'Telekom Serbia' e quan lajm të madh dhe të rëndësishëm vendimin e kthimit të kanaleve 'Arena'

Kryeshefi ekzekutiv i “Telekom Serbia”, Vladimir Luçiq është shprehur i kënaqur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave në Kosovë për kthimin e kanaleve sportive “Arena”.

“Lajmi i madh dhe i rëndësishëm është se arritëm që kanalet sportive Arena sërish të transmetohen në Kosovë dhe besoj se kjo është vetëm një uvertyrë për uljen e presionit mbi operacionet e Telekom Srbija, që do të rezultojë me rezultat pozitiv për kompaninë tonë” – ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Më 6 shkurt 2024, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka shfuqizuar vendimin e marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Më 6 shkurt, vetë KPM-ja e shfuqizoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

“Kanalet e (pezulluara) kanë marrë mësimin e duhur, janë bërë glorifikime jo të duhura. E kemi treguar veten shumë seriozë, pa hezitim kemi vendosur, e kanë marrë leksionin e duhur. Zyra e ka monitoruar gjatë gjithë kohës zbatimin e këtij vendimi. Një qasje e tillë nuk do të tolerohet”- u tha në mbledhjen e KPM-së.

Kërkesën për rikthim të kanaleve kompania “Artmotion” e kishte bërë dje, më 5 shkurt, duke thënë se “vendimi i KPM-së do të ishte mirë të revokohet” dhe të lejohet rikthimi i kanaleve të “Arena”.

4 anëtarët që votuan pro në mënyrë unanime kundrejt kërkesës së Artmotion janë; kryetari Jeton Mehmeti dhe anëtarët, Besnik Berisha, Fatih Basha dhe Fitim Veliu.

Pjesa e mbledhjes kur u miratua kjo kërkesë ishte nën monitorimin vetëm të BIRN Kosova, pa media tjera prezentë.

Kjo çështje nuk ka qenë e pjesë e agjendës së ditës, por u propozua tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.